Zini Fyraj, një prej grabitësve të armatosur të pikës së këmbimit valutor në Fier, me pasojë plagosjen e dy personave, rezulton se është me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjeve.

Sipas të dhënave të policisë, Zini Fyraj, 37 vjeç, është arrestuar me datën 13 Korrik të vitit 2017, pasi akuzohet se ishte pjesë përbërëse e një grupi, që kishte kryer grabitje dhe vjedhje me dhunë. E më konkretisht, 37-vjeçari nga Sevasteri i Vlorës ishte pjesë e një grupi prej 5 personash, që i kishin grabitur 4000 euro me dhunë, nën kërcënimin e armës, një 29-vjeçari në lagjen “24 Maji”.

Ende nuk dihet se si ky person, edhe pse i dyshuar për vjedhje me armë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore, u la i lirë.

13.07.2017 Ky është momenti i arrestimit të Zini Fyrajt dhe dy personave të tjerë, të cilët më 30 Qershor, nën kërcënimin e armës së zjarrit iu grabitën 4 mijë euro 29-vjeçarit A.B në qytetin e Vlorës.

13.07.2017 Njoftimi i Policisë së Vlorës

Policia dokumenton ngjarjen e vjedhjes me armë të ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Vlorës!

Arrestohen 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Në vijim të informacionit të datës 30.06.2017, ku bëhet fjalë për vjedhjen e ndodhur në lagjen “24 Maji”, ku nën kërcënimin e armës së zjarrit disa persona i kanë vjedhur 29-vjeçarit A.B., një sasi parash prej 4000 eurosh, Policia bën me dije se:

Nga veprimet hetimore intensive, shërbimet e Policisë së Vlorës kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të cilët janë implikuar duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, si më poshtë:

1-   Vilson Bylaj, 29 vjeç, banues në Vlorë, arrestuar si bashkëpunëtor i vjedhjes me armë (neni 140/25 dhe 278).

2-   Zini Fyraj, 36 vjeç, banues në Vlorë, arrestuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” (neni 302), pasi në banesën e tij është kapur shtetasi Vilson Bylaj.

3-   Avdulla Bregu, 29 vjeç, banues në Vlorë, arrestuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kallëzimi i rremë” (neni 283 dhe 305), pasi dyshohet se u ka shitur lëndë narkotike dy shtetasve të mësipërm.

4-   E.A., 32 vjeç, banues në Vlorë, shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i vjedhjes me armë (neni 140/25 dhe 278).

Gjithashtu, në kohën e ndodhjes së ngjarjes më datë 30.06.2017 është arrestuar në flagrancë shtetasi Marjo Bregu

.

/ tvklan.al