Ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar për shpërdorim detyre është liruar nga qelia. Muaj më parë, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi Tucin me 1 vit e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me 1 vit burgim.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se GJKKO pranoi kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit dhe Tuci u lirua nga qelia.

Sipas SPAK, Tuci së bashku me ish-kreun e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku kanë dëmtuar një sipërfaqe të madhe pyjore duke hapur një segment të ri rrugor në kundërshtim me ligjin (Lexo më shumë).

Punimet e kryera nga administrator i një subjekti privat gjithashtu ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor. Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e 234,007,500 Lekë.

Sjellim në vëmendje se ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci u arrestua më 13 Korrik të vitit 2023 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, e cila ngriti ndaj tij akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për të njëjtën akuzë asokohe në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” u vendos edhe ish-administratori i Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku.

Ndërsa për veprën penale “Shkatërrim i pronës” nën hetim me masë detyrim për t’u paraqitur u vu administratori i një subjekti tregtar privat, Durim Markgjekaj. Hetimet për rastin nisën nga Prokuroria e Pukës, e cila më pas dërgoi për kompetencë çështjen në SPAK./tvklan.al