Lot dhe dhimbje për 20-vjeçarin që humbi jetën në Itali

Ledio Cërriku

Lot dhe dhimbje për 20-vjeçarin që humbi jetën në Itali

11:59 23/08/2019

Trupi i pajetë i Ledio Cërrikut që humbi jetën në një aksident në Itali, është dërguar në Shqipëri ku do të kryhet ceremonia mortore. Mediat italiane raportojnë se arkivoli u nis me traget nga Bari drejt vendit tonë, ndërsa është hapur edhe një llogari bankare me numër IT 95S0538723906000003111574 për të ndihmuar familjen e të riut.

20-vjeçari Ledio Cërriku, duke udhëtuar me motor, u përplas nga një furgon mëngjesin e 19 Gushtit në Villamarina di Cesenatico të Italisë. Ai po shkonte në punë, kur papritur jeta e tij u ndërpre në mes. Dhimbja është akoma më e madhe, kur mëson se 20-vjeçari kishte ditëlindjen dy ditë më vonë pas aksidentit. Ledio Cërriku punonte si ndihmës kuzhinier në një restorant dhe ishte djalë i respektuar në komunitetin italian ku ai banonte.

Mbrëmjen e së mërkurës, në banesën e 20-vjeçarit në Itali kishte shkuar një numër i madh i qytetarëve për të shprehur ngushëllimet për të riun shqiptar, madje kishte edhe nga ata persona që nuk e njihnin personalisht. I pranishëm ishte edhe komandati i policisë lokale të Cesenatico, Edoardo Turci.

Në Facebook, ai botoi një letër prekëse, ku ndër të tjera shkruante: “Sipas traditës, njerëzit shprehën ngushëllimet me një gotë raki dhe cigare në dorë. Solidaritet i jashtëzakonshëm. Drama që po përjeton familja e Ledios është e madhe, aq më tepër që iku në ‘lule të rinisë’ teksa ishte duke shkuar në punë”. Për të shprehur ngushëllimet ishin edhe policët italianë që shkuan në vendngjarje kur ndodhi aksidenti. Komandanti i tyre thotë se edhe për ta ishte shumë e vështirë të mbanin lotët.

Vdekja e Ledio Cërrikut është trajtuar gjerësisht nga mediat italiane, si një fatkeqësi për të riun shqiptar që humbi jetën në moshë të re. Një djalë punëtor dhe i devotshëm, e pëshkruajnë kolegët e punës dhe miqtë e tij. Mëngjesin e 19 Gushtit, Ledio Cërriku po udhëtonte me motor për të shkuar në punë, kur u përplas nga një furgon. Pavarësisht se kishte vendosur kokore, 20-vjeçari humbi jetën për shkak të goditjes që kishte pësuar në kokë. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT