Kryeministri Pandeli Majko ka kryer një vizitë në Ministrinë e Rendit, ku ka dhënë ultimatum që të largohen të gjithë të korruptuarit nga organet e policisë. Gjatë analizës vjetore në Ministrinë e Rendit kryeministri Majko kërkoi më shumë profesionalizëm, ndershmëri dhe rezultate të shpejta në luftë me krimin.

Në analizën vjetore të punës së policisë ishin të pranishëm ministri i Rendit Petro Koçi, ministri i Drejtësisë Thimio Kondi, ministri i Financave Anastas Angjeli, kryeprokurori Rakipi dhe kryetari i komisionit parlamentar i SHIk-ut Neritan Ceka. Kriminaliteti është 7% më i lartë se në 1996 ndaj duhet një reformë për kuadrot, të organizohet puna zbuluese me policinë kriminale dhe SHIK-un, theksuan drejtuesit e Rendit.

Këta fajësojnë organet gjyqësore që lirojnë kriminelët dhe policinë doganore dhe atë tatimore për lejimin e kontrabandës dhe mospagimin e taksave. Në këtë takim u hodh ideja e krijimit të një policie unike dhe të xhandarmërisë në funksion të Policisë së Rendit./tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame