Mijëra qytetarë janë bllokuar në Kakavijë. Situata vijon të jetë problematike prej disa ditësh. Më herët, një qytetare tregoi për redaksinë e Tvklan.al se qëndron në pritje për të kaluar kufirin prej 3 ditësh. Si ajo janë shumë qytetarë të tjerë, emigrantë shqiptarë që duan të shkojnë në vendbanimin e tyre në shtetin helen.

Në disa video të tjera dërguar në rubrikën “Kallëzo” në Tvklan.al shfaqen momentet se si persona të ndryshëm mes të cilëve fëmijë, gra e të moshuar  duhet të durojnë vapën, lodhjen dhe stresin e pritjes. Siç duket, shumica e qytetarëve kanë vendosur çarçafë nëpër makina që të shmangin në maksimum nxehtësinë.

Vetë kanë zbritur nga mjetet dhe qëndrojnë ulur në rrugë. Atyre iu mungojnë edhe kushtet minimale të higjienës si banjot apo uji i rrjedhshëm për t’u larë e pastruar.

Masat e qeverisë, Rama: Vijojmë komunikimet me grekët. Procedurat, të njëjta edhe për qytetarët grekë

Kreu i qeverisë, Edi Rama, reagoi nëpërmjet rrjeteve sociale në lidhje me situatën e krijuar në Kakavijë. Kryeministri tha se vijon komunikimi me palën greke për lehtësimin e procedurave.

Ai u shpreh se këto rregulla të vëna nga Greqia vlejnë për çdo qytetar të çdo vendi, madje edhe për grekët. Kryeministri deklaroi se tamponimi i çdo qytetari që hyn në vend është i pakuptimtë, megjithatë qeveria shqiptare nuk ka çfarë të bëjë pasi ky është rregull i përgjithshëm i Greqisë.

“Edhe vetë shtetasit grek kanë të njëjtin detyrim dhe të njëjtin trajtim”, shkruante ai.

Për situatën ditën e djeshme ishte prezente në Kakavijë edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ndërkohë atje vijon të qëndrojë drejtuesi i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Në Kakavijë qëndrojnë prej mbrëmjes së djeshme 200 efektivë të Forcave të Armatosura. Ata po shpërndajnë dhe furnizojnë qytetarët me ujë e ushqime. Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një deklarate ditën e sotme tha se situata vijon të jetë ende problematike.

Policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që të çojnë drejt pikave të kalimit kufitar me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe pritjes në radhë.

“Për të këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtashëm, ose të paktën të ndalojnë dhe të presin në kushte më të përshtatshme në qytetet ose fshatrat përgjatë rrugës, deri në krijimin e mundësive reale për kalimin e kufirit, pa orë të stërgjatura pritjeje”, shkruante Lleshaj.

Pse u rëndua situata?

Greqia vendosi një rregull të ri që hyn në fuqi prej datës 16 Gusht. Të gjithë personat do të hyjnë në vend duhet që të karantinohen për 7 ditë. Përveç kësaj duhet kryer edhe testi ndaj Covid-19.

Gjithashtu, pala greke do të lejojë nga e diela të kalojnë nga Kakavija 750 persona në ditë ndërsa nga Kapshtica 300 persona.

Ky lajm bëri që shumë emigrantë që punojnë dhe jetojnë në Greqi t’i dynden doganës për të shmangur karantinimin 7-ditor. Mirëpo numri i lartë i njerëzve dhe ngadalësia e procedurave nga pala greke kanë bërë që të krijohen radhë të mëdha makinash./tvklan.al