Pica në 3 minuta vetëm me 4 lloje, kritikohet nga italianët

Pica në vetëm 3 minuta! Ky lajm ka bërë shumë bujë në kryeqytetin italian, Romë.

Makineta Mr.Go Pizza që nxjerr pica të vogla vijnë në 4 lloje: Margherita, 4 Stinët, Diavola dhe me Pançetë. Por, kjo risi nuk është mirëpritur në vendin e origjinës së picës, aty ku janë mësuar ta përgatisin brumin me duar dhe ta pjekin në furrë druri. Jo vetëm vendasit, por edhe turistët e kanë quajtur blasfemi dhe sakrilegj në rrjetet sociale.

Pica që doli nga makineta dukej sikur ishte ngrënë më parë”, “Italia po merr gjënë më të keqe të Amerikës, aty ku nga makinetat del çdo gjë” apo “Brumi që bëhet për 3 minuta nuk është picë”, ishin disa nga komentet.

Por, italiani që ka futur makinetat që bëjnë pica, Massimo Bucolo, tha se picat bëhen me përbërës shumë cilësorë: “Kur u njoha për herë të parë me makinerinë dhe mësova se si funksiononte, rashë në dashuri menjëherë”.  Ai shprehet se ka bërë shumë kërkime dhe ka folur me ekspertë të duhur për t’u siguruar që përbërësit të ishin të cilësisë së lartë.

Klan News