Qeveria bën të detyrueshme përdorimin e maskës

I kthyer në vatrën e nxehtë të përhapjes së koronavirusit, Ballkani Perëndimor vijon të ketë situatë të rëndë të pandemisë. Mali i Zi, një nga vendet që jetoi 28 ditë pa asnjë të infektuar, aktualisht ka 2381 të i prekur dhe 35 viktima si pasojë e Covid-19. Shifrat alarmante detyruan autoritetet të shpallin sërish gjendjen e epidemisë.

Në bazë të këtij vendimi, forcohen sërish masat anticovid në të gjithë vendin,  duke filluar nga bërja e detyrueshme e përdorimit të maskës në ambientet e jashtme dhe të brendshme.

Kjo masë është e detyeshme për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe fëmijët mbi 7 vjeç. Maska nuk është detyrueshme vetëm në plazhe dhe parqe kombëtare, me kusht që të respektohen distancat fizike dhe masat e përcaktuara më parë.

Gjithashtu nuk lejohet grumbullimi i mbi 40 personave në vende të hapura publike dhe 20 persona në vende të mbyllura publike. Baret, lokalet, diskot dhe lokalet e natës do të qëndrojnë të mbyllura deri më 6 Gusht. 

Situatë problematike është edhe në Serbi, ku numri i të infektuarve në total është 21.605 dhe i viktimave ka shkuar në 491.

Greqia edhe pse me kufij të hapur për disa vende, ka instaluar një sistem elektronik ku turistët duhet të regjistrohen shumë ditë përpara se të arrijnë në Greqi. Por kjo mënyrë bashkë me kontrollet mjekësore në kufirin grek, ka krijuar kaos dhe komplikacione per të gjithë ata që duan të pushojnë në këtë vend.

Bashkimi Europian, edhe pse ka mbyllur kufijtë me vendet e rajonit, sërish është i shqetesuar për shkak të punëtorëve sezonalë që udhëtojnë drejt perëndimit dhe që mund të transmetojnë virusin.

Tv Klan