Nis vaksinimi antiCovid për qytetarët mbi 18 vjeç - Tv Klan

Nis vaksinimi antiCovid për qytetarët mbi 18 vjeç



Nis vaksinimi antiCovid për qytetarët mbi 18 vjeç

12:22 26/06/2021

Manastirliu: Vetëm për dy ditë, aplikimi përmes e-Albania

Hapet vaksinimi antiCovid për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç. Nga Vlora, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se vetëm për dy ditë, në 29 dhe 30 Qershor, kushdo që është mbi 18 vjeç dhe do të kryejë vaksinë duhet të aplikojë tek e-Albania.

“Bazuar në rekomandimin e ekspertëve të ISHP, ne kemi vendosur që e marta dhe e mërkura e ardhshme të jenë ditë vaksinimi të hapura. Pra datat 29-30 qershor do të jenë ‘open days’ për vaksinimin e popullatës plus 18 vjeç”.

Dy ditët e  vaksinimit masiv, do të jenë vetëm nëpër qendrat e përqendruara të vaksinimit.

“Ne do të përdorim platformën e-Albania, që të gjithë qytetarët që janë të interesuar për t’u vaksinuar, të mund të aplikojnë nga dita e nesërme, e diela dhe e hëna për të kërkuar për t’u vaksinuar dhe sistemi E-Albania do të njoftojë vendin e vaksinimit, sipas qyteteve dhe do të jenë kryesisht qendrat e vaksinimit të përqendruar ato të cilat do realizojnë vaksinimet për ditët e hapura”.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se vendimi për të vaksinuar të gjithë ata persona mbi 18 vjec, po kryhet për të shmangur shpërthimet epidemiologjike, sidomos me variantin delta.

“Kemi një mbulesë mjaft të mirë vaksinale sidomos tek personat mbi 70 vjeç, po arrijmë 70 përqind të kësaj grup moshe, por edhe ato grupmoshat e tjera janë goxha mirë dhe prandaj ka rëndësi që ta ulim dhe më tepër grupmoshën, që të ndërgjegjësojmë dhe të rinjtë, sidomos me daljen e variantit Delta, që mund të prekë të rinjtë”.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që për ata qytetarë që nuk kanë mundësi lëvizje nga banesa, të shkojnë grupet e vaksinatorëve për ti vaksinuar kundër Covid.

Tv Klan








Të ngjashme