Manastirliu shpjegon si do të kryhet vaksinimi masiv: Qytetarët do njoftohen nga mjeku i familjes



Manastirliu shpjegon si do të kryhet vaksinimi masiv: Qytetarët do njoftohen nga mjeku i familjes

21:17 27/03/2021

Nga dita e nesërme në vendin tonë do të nisë vaksinimi masiv për koronavirusin Covid-19. Në sheshin Skënderbej janë bërë gati qendrat ku do të kryhet ky proces.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka shpjeguar për Klan News se si do të procedohet me vaksinimin masiv dhe si do të përzgjidhen qytetarët.

Sipas saj, fillimisht do të niset me grupmoshën 70 vjeç e lart, të cilët do të lajmërohen nga mjeku i familjes.

“Duke filluar me grupmoshat që tashmë janë përcaktuar në planin tonë të vaksinimit, duke vijuar me grupmoshën +85 vjeç, duke u shtrirë në grupmoshën 80+, 75+ dhe 70+ sipas vlerësimit dhe identifikimit nga mjeku i familjes. Do të lajmërohen qytetarët që do të jenë në këto grupmosha sipas një rendi kalendarik zbritës dhe do të jetë pikërisht mjeku i familjes që do të lajmërojë qytetarët për vendin dhe datën e kryerjes së vaksinimit. Ndaj dua që të njoftoj qytetarët që ne kemi në planin tonë të vaksinimit, kemi vendosur vaksinimin kapilar në qendrat shëndetësore por gjithashtu edhe në poste të vaksinimit të përqëndruar siç është edhe ky pol i vaksinimit në sheshin Skënderbej, ku do të kryhet vaksinimi për grupmoshën +75 vjeç duke u ndarë sipas qendrave shëndetësore. Tashmë janë bërë gati listat, janë lajmëruar edhe qytetarët që i përkasin kësaj grupmoshe për ditën e parë dhe në vijim të vaksinimit. Ndaj dua të njoftoj qytetarët që të presin njoftimin e mjekut të familjes për t’u njoftuar për kryerjen e vaksinimit dhe për vendin e datën që do ta kryejnë. E them këtë sepse ne nuk duam që të krijojmë konfuzion, grumbullime masive. Poli i vaksinimit në këtë shesh do të ofrojë nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë, por do të jenë kryesisht ata qytetarë që janë lajmëruar nga qendrat shëndetësore, ndërkohë që do të vijojë vaksinimi tek Arena Kombëtare që do të vazhdojnë të jenë mjekët e familjes që do të lajmërojnë për vendin e vaksinimit dhe gjithashtu në të gjithë Shqipërinë, qoftë në qendrat e vaksinimit të përqëndruar dhe qoftë në qendrat shëndetësore. Tashmë është bërë edhe shpërndarja e vaksinave të ardhura në qendrat shëndetësore dhe objektivi ynë është që të arrijmë 10 mijë dhe më shumë vaksinime në ditë që t’i përmbahemi planit tonë ambicioz për kryerjen e procesit të vaksinimit në 14 muaj”, u shpreh Manastirliu.

Për qytetarët e tjerë që janë të interesuar për t’u vaksinuar, ministrja e Shëndetësisë theksoi se mund të aplikojnë tek portali e-Albania nga data 29 Mars për t’u informuar për radhën, vendin dhe orën ku do të kryejnë vaksinën.

“Nëse qytetarët kërkojnë të kenë informacion se ku janë në radhë, kur u vjen radha për t’u vaksinuar, atëherë mjafton që të kontaktojnë mjekun e familjes. Nëse nuk e dinë se kush është mjeku i familjes, nëpërmjet portali e-Albania është shumë e lehtë për të ditur numrin e kontaktit të mjekut të familjes, nëpërmjet linjës së gjelbërt 0800 4040 mund të lidhen direkt dhe të kontaktojnë me mjekun e familjes. Por ndërkohë nga dita e hënë, nëpërmjet portalit e-Albania do të kemi mundësi gjithashtu që edhe të bëjnë kërkesën për aplikim dhe më pas të marrin dhe informacionin e nevojshëm për datën, vendin dhe orën e kryerjes së vaksinës”, deklaroi ministrja Ogerta Manastirliu. /tvklan.al







Të ngjashme