Xhaferi: Gabova me ligjin për këshillin e prokurorëve publik

Nuk ka më pasiguri, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 12 Prill. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili e nënshkroi vendimin menjëherë pas shpërndarjes së mbrëmshme të Kuvendit, sot u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve, për proces zgjedhor dinjitoz.

“Të jenë në nivel të detyrës së tyre, të kontribuojnë që dita e zgjedhjeve të jetë ditë solemne dhe një raport pozitiv për përparimin e vendit, që duhet të publikohet gjatë muajit mars, me çka do të japim kontribut të rëndësishëm në rezultatet pozitive nga samiti në Zagreb dhe të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në”, tha Xhaferi.

Xhaferi i hodhi poshtë dyshimet se ligjet e miratuara gjatë ditës së djeshme, për Prokurorinë Publike dhe për Këshillin e Prokurorëve Publikë mund të rrëzohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht janë të pavlefshëm, siç pohon opozita. Ndërsa për të dytin, për të cilin paralajmëroi votim sipas parimit të Badenterit, për të cilin nuk ka pasur nevojë, e pranoi gabimin e tij, pa pasoja.

“Po, unë gabova, mendoj se nuk është fundi i botës nëse njeriu e pranon se ka gabuar”, tha Xhaferi.

VMRO-DPMNE-ja vazhdon të insistojë se nuk janë respektuar rregulloret gjatë votimit të ligjeve.

“Për herë të parë shoh situatë në të cilën ligji nuk është votuar dhe përsëritet votimi për pesë minuta. Pa dyshim që Gjykata Kushtetuese është institucion që duhet të prononcohet në lidhje me këtë çështje sepse nuk pati vullnet të shprehur qartë dhe nuk u arritën numrat”, tha Aleksandar Nikolovski, ngaVMRO-DPMNE.

Mbrëmë vonë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i njoftoi kornizat teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga MPB-ja ta marrë listën zgjedhore, e cila që nga 26 Shkurti në 15 ditët e ardhshme do të jetë në dispozicion të votuesve.

Partitë kanë afat deri më 12 Mars t’i dorëzojnë listat e kandidatëve, ndërsa fushatë zyrtare mund të organizohet 20 ditë para fillimit të heshtjes zgjedhore, edhe pse sipas aktiviteteve partiake, në opinion ekziston përshtypja se lojtarët kryesorë politikë tashmë qe disa muaj janë në fushatë dinamike parazgjedhore. 

Tv Klan