Aventura e Marash Kumbullës te Roma mund të mbyllet në merkaton e kësaj vere. Mbrojtësi shqiptar ka humbur vendin e titullarit te skuadra e teknikut Zhose Murinjo, me largimin e tij që bëhet thuajse i sigurtë. Por, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Kumbulla do të mbetet në Seria A. Duke iu referuar këtyre burimeve, për mbrojtësin 22-vjeçar ka interes nga Torino.

Trajneri kroat i Torinos, Ivan Juriç dëshiron të ribashkohet me Kumbullën pas eksperiencës fantastike te Hellas Verona vite më parë. Kjo kënaq edhe 22-vjeçarin kuqezi, i cili nën urdhrat e kroatit do të luante rregullisht.

Fillimisht “demat” duan ta huazojnë, ndërsa më pas janë gati të paguajnë rreth 20 milionë euro. Me largimin e Kumbullës, Roma do të hidhej në sulm për të gjetur një mbrojtës. Evan Ndiçka gjendet në krye të dëshirave të Murinjos, ndërsa Kumbulla do gjente te Torino mbrojtësin shqiptar Vojvoda.

Klan News