Mark Marku është i mendimit se me thirrjet drejtuar Prokurorisë së Posaçme, për të hetuar Sali Berishën dhe Ilir Metën, Kryeministri Edi Rama po i mbron këta dy të fundit. Kjo pasi sipas Markut, nëse SPAK do të veprojë do të perceptohet sikur kjo ndodhi me urdhër të kryeministrit. Analisti argumenton se drejtësia shqiptare është aq e brishtë dhe aq nën presion publik, saqë nëse do t’i shtohet edhe presioni politik, ka rrezik që të bëhet e paaftë për të funksionuar.

Ka një paradoks në gjithë këtë histori. Deri tani ne kemi parë që SPAK-u është akuzuar nga Berisha, Meta, gjithë opozita (si SPAK dhe institucionet e drejtësisë), si institucione të kontrolluara nga Rama. Ka qenë një presion goxha i madh në këtë drejtim. Tani po ndodh e kundërta, që Rama, vetë kryeministri, ka filluar të ushtrojë të njëjtin presion ndaj SPAK, duke aluduar që kontrollohet nga Berisha… Unë mendoj që në të dyja rastet kjo është shumë e dëmshme. Unë e konsideroj deklaratën e Ramës në mbrojtje të Berishës dhe Metës. Mbrojtje absolutisht.

“Sepse me atë deklaratë ai e bën çdo vendim të mundshëm për këta dy persona, për të mos thënë që e bën krejt normale që ata nën presionin e madh se mos po shfrytëzohen politikisht nga një forcë politike, atë të mos marrin kurrë asnjë hetim as për Berishën, as për Metën, Pse? Sepse do thonë, ja u dha urdhër Rama, funksionuan si instrument i PS. Pra në thelb, sepse duhet me e lexuar pak diskursin politik, se çfarë qëllimi ka, absolutisht që unë e shikoj si mbrojtje, duke e vendosur SPAK-un në pozita të tilla që çfarëdolloj vendimi të marrë, do jetë vendim i pamundur sepse do të konsiderohet instrument. Ky është opinioni i imi. 

Problemi është që drejtësia shqiptare është aq e brishtë dhe aq nën presion publik, saqë nëse do t’i shtojmë edhe këtë presion shumë të madh, po themi, politik, ka rrezik që ajo të mpihet, të bëhet e paaftë për të funksionuar. Pra është e mbingarkuar”./tvklan.al