Orë vendimtare për Britaninë e Madhe dhe marrëdhëniet në të ardhmen me Bashkimin Europian. Kryeministrja Theresa May mblodhi kabinetin qeveritar për të miratuar planin që përcakton marrëdhënien me Brukselin pas shkëputjes nga Bashkimi Europian në 2019-ën.

Mbledhja shtyhej prej ditësh, pasi plani kundërshtohet ashpër nga disa ministra euroskeptikë. Në orët e vona të së martës Londra dhe Brukseli gjetën gjuhën e përbashkët pas disa muajsh mosmarrëveshjes. Por ish-ministri i jashtëm Boris Johnson thotë se marrëveshja e shndërron Britaninë në vasale të BE-së.

Boris Johnson, ish-ministër i Jashtëm:

Ne do të qëndrojmë në unionin doganor. Do t’u nënshtrohemi rregullave të tregut të përbashkët. Dhe kjo nënkupton gjendje vasaliteti. Për të parën herë në 1 mijë vjet, ky parlament nuk do të ketë të drejtën e fjalës për ligjet që qeverisin vendin.

Sipas marrëveshjes, mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës nuk do të ketë kontrolle kufitare. Do të ruhet i njejti status si në Bashkimin Europian, të paktën deri në vitin 2020. Por për deputetët që duan të qëndrojnë të bashkuar me Britaninë, kjo do të thotë shpërbërje e vendit.

Sammy Wlson, Deputet i Unionistëve Irlandeze:

Pa marrëveshje është më mirë se me një marrëveshje të keqe. Marrëveshja e keqe është ajo do shpërbëjë Britaninë e Madhe, që na mban ne të lidhur me Bashkimin Europian dhe na shkëput nga Britania e Madhe.

Marrëveshja garanton të drejtat e 3 milionë shtetasve të BE-së që jetojnë në Britani dhe 1 milionë britanikëve në vendet europiane. Por Brukseli kërkon status të veçantë të garantuar me ligj për emigrantët europianë në Britani. Marrëveshja pritet të nënshkruhet në Bruksel në një samit të përbashkët në Nëntor.

Tv Klan