I ftuar në studion “Opinion” në Tv Klan për të folur mbi situatën e krijuar në lagjen “5 Maji”, ndodhet nënkryetari i bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku. Ai shpjegoi se familjet me objekte të palegalizuara do të marrin shtëpi me hipotekë. Gjatë kësaj kohe, ata do të përfitojnë bonusin e qerasë.

Blendi Fevziu: Po ndërkohë, ata që i kanë shtëpi pa leje, pra që i janë ndërtuar, por nuk i janë regjistruar akoma, ata çfarë marrin?

Arbian Mazniku:Ata marrin metër për metër sipërfaqet që sot kanë. Fjala bie, zonja që pamë ne quhet Liz Marku. Familja e saj ka një objekt prej 356 metra katrorë shtëpi banimi të palegalizuar, të palegalizueshëm.

Blendi Fevziu:Pse të palegalizueshëm?

Arbian Mazniku:Sepse ka një situatë të tillë që nuk legalizohet dot, është shumë afër lumit etj. Zonja dhe familja e saj do të marrë 356 metra katrorë ndërtim me hipotekë që mund të vendosë t’ia trashëgojë fëmijëve brez pas brezi, ta shesë, ta blejë, ta japë me qera. Sot, në një objekt që do të duket si ky, në një zonë të superurbanizuar, me shkollë, me çerdhe, me ujë, me rrugë, me drita, me të gjitha facilitetet e mundshme që sot nuk i ka. Dhe do të marrë 456 pa letra, 356 me letra.

Blendi Fevziu:Po gjatë kohës së ndërmjetme?

Arbian Mazniku:Do marrë për secilën prej kurorave, do ketë mundësi të aplikojë për të marrë qera.

Blendi Fevziu: Po sot që është prishur shtëpia, ku do rrinë derisa të aplikojnë? Sot është temperatura 2 gradë në këto momente që po flasim.

Arbian Mazniku:Kjo është arsyeja pse po i lusim që nga Tetori që të firmosin marrëveshjen dhe që nga momenti që firmosin marrëveshjen i fillon bonusi i qerasë. Tetor, Nëntor, Dhjetor, Janar, ne kemi katër muaj që përditë kemi folur me secilin prej këtyre familjarëve duke i thënë që firmosni marrëveshjen, kjo është çfarë do përfitoni që të keni mundësi të përfitoni bonusin e qerasë, ta gjeni shtëpinë, të lëvizni me të gjithë kohën që ju duhet. Nga ana tjetër, pikërisht shtëpitë që do të marrin, por vonohen për shkak se këta njerëz nuk po lëvizin. Nuk mund të fillojë kantieri i plotë për sa kohë që nuk janë larguar të gjithë./tvklan.al