Policia Rrugore vijon kontrollet në të gjithë vendin, ku vetëm gjatë ditës së sotme janë vendosur mbi 1500 gjoba.

Policia informon se shkeljet e kryera në të gjithë vendin kanë qenë për parakalime të gabuara, qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara, drejtim i mjetit, në gjendje të dehur, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe mosvendosje e rripit të sigurimit.

Janë skanuar 221 shpejtësi mbi normat e lejuara. Drejtuesve të këtyre mjeteve u është pezulluar leja e drejtimit për një periudhë nga 3 deri në 15 muaj, u janë zbritur nga lejet e drejtimit, nga 8 deri në 12 pikë, si dhe janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 15.000 deri në 50.000 lekë të rinj.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masa administrative për parakalime të gabuara 341 drejtues mjetesh;

114 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit,

451 drejtues mjetesh për përdorimi të celularit gjatë drejtimit të mjetit,

253 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit,

142 drejtues motomjetesh  për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Gjatë ditës së sotme, janë vënë në pranga 5 drejtues mjetesh, në gjendje të dehur dhe 4 drejtues motomjetesh pa leje drejtimi.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë maksimalisht rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen me radarë. /tvklan.al