Disa vende rekomandojnë vaksinimin për mbrojtje nga infektimi

Shtohen sërish numri i të prekurve nga lia e majmunit në gjithë botën, teksa shumë vende po shohin vaksinimin si zgjidhje për t’u mbrojtur nga virusi me origjinë nga Afrika.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se numri i të infektuarve ka arritur në rreth 200, ndërsa dyshohet edhe për 100 të infektuar të tjerë që po u nënshtrohen analizave. Britania e Madhe dhe Spanja kanë numrin më të lartë të të prekurve, ndërsa shumica dërrmuese e të infektuarve janë në vendet europiane.

Rajoni i Kebekut në Kanada bëhet i pari që do të ofrojë nga kjo e premte vaksinim ndaj lisë së majmunit për të gjithë ata që kanë pasur kontakte të afërta me të infektuarit. Si vaksina do të përdoren ato të prodhuara për lisë së zakonshme që sipas ekspertëve janë 85% efektive edhe ndaj lisë së majmunit. Edhe në Britaninë e Madhe dhe Francë po rekomandohet vaksinimi si mënyrë mbrojtjeje.

Tv Klan