Mbi 60 mijë viktima në mbarë globin

Mbi 60 mijë viktima në mbarë globin

19:00 04/04/2020

1.1 milionë të infektuar, mbi 20% të shëruar

Drita e shpresës mes pandemisë së koronavirusit po i ndizet edhe Spanjës. Kjo e shtunë shënoi 809 të vdekur gjatë 24 orëve të fundit, një shifër e ulët krahasuar me rekordet e ditëve të fundit që thyenin njëri-tjetrin me mbi 900 viktima ditore. Numri i viktimave arrin kështu në mbi 11 700. Mbi 7 mijë të infektuar të rinj iu shtuan listës së pacientëve këtë 24-orësh, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në më shumë se 124 700. Këto shifra tregojnë po ashtu rënie të numrit të infektimeve ditore, çka sipas ekspertëve mund të shënojë arritjen e pikut dhe vënien nën kontroll të situatës.

Edhe në Itali numri i viktimave po bie, ndonëse me ritëm të ulët. 681 persona ndërruan jetë 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në mbi 15 mijë. Ritmet e infektimeve ditore vijojnë të jenë të qëndrueshme, teksa aktualisht numërohen mbi 124 600 mijë të prekur, çka e ul Italinë në vendin e tretë, pas Spanjës në shkallë globale. Edhe pse shifrat kanë nisur të ulen, autoritetet në Lombardi urdhëruan vendosjen me detyrim të maskave mbrojtëse gjatë daljeve jashtë shtëpisë, duke nisur nga e diela.

Shtetet e Bashkuara, kanë numrin më të lartë të të prekurve në gjithë globin, afro 278 mijë. Viktimat janë mbi 7400 mije. Presidenti amerikan Donald Trump refuzoi një tjetër këshillë ekspertësh nga administrata e tij, atë që detyron qytetarët të përdorin maska, një masë që synon frenimin e përhapjes së pandemisë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se këshilla për qytetarët është e qartë se maska është një mjet i mirë mbrojtës në këtë situatë, por ata duhet të vendosin vetë.

Britania e Madhe shënoi një rekord të ri ditor prej 708 viktimash, ndërsa numri i infektimeve ishte më i ulët krahasuar me të premten. Në këtë vend numërohen tashmë mbi 4 300 viktima dhe afro 42 mijë të infektuar.

Në rritje janë shifrat e përhapjes edhe në Turqi ku numri i viktimave në 24 orët e fundit u shtua me 69, duke arritur në 425 në total. Numri i të prekurve u shtua po ashtu me afro 2800, duke arritur në gati 21 mijë. Turqia vendosi karantinën në 31 zona të banuara, me numrin më të lartë të të infektuarve.

I gjithë globi numëron mbi 60 mijë viktima, më shumë se 1.1 milionë të prekur, prej të cilëve 20% janë shëruar plotësisht.

Tv Klan

Të ngjashme

Grupi

Kallezo