Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e konsideron akt të paprecedent vendimin që mori mazhoranca në Konferencën e Kryetarëve që mbledhjet e komisioneve parlamentare të zhvillohen online.

Duke folur jashtë Parlamentit pas përfundimit të seancës plenare, Bardhi u shpreh se komisionet parlamentare zhvillohen online vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Gazment Bardhi bëri me dije gjithashtu se 3 grupet parlamentare të opozitës do të mblidhen për të diskutuar vendimin e Konferencës së Kryetarëve.

Akt i paprecedent i pakicës që ka okupuar parlamentin në Konferencën e Kryetarëve për t’i mbyllur gojën opozitës. Vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të zhvillohen mbledhje online të komisioneve. Mbledhjet e komisioneve janë shumë herë më të rëndësishme se sa seancat plenare. Ne jemi mbledhur 140 deputetë në sallën e seancave plenare. Atëherë pse do duhet që komisionet parlamentare të mos mblidhen sipas kushteve të përcaktuara fizikisht dhe jo në mbledhje qesharake online. Gjatë ditës së sotme ose nesër do zhvillojmë mbledhje të tre grupeve parlamentare të opozitës, vendimi është i papranueshëm, për ta trajtuar parlamentin si noter të akteve të tyre”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD. /tvklan.al