Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës është organizuar një mbrëmje poetike me shkrimtarin Ismail Kadare. Pjesëmarrësit kanë pasur mundësitë të bashkëbisedojnë me të në lidhje me krijimtarinë e tij, opinionet për personalitetet e letrave shqipe, por dhe për qëndrime ndaj Kosovës. Kadare ka dhënë disa mendime në lidhje me vlerat e poetëve kombëtar Gjergj Fishta dhe Naim Frashëri.

Ismail Kadare: “Kur unë kam filluar të lexojë, Gjergj Fishta ishte i ndaluar në Shqipëri, kështu që s’kisha as mendim kritik, as jo kritik, s’kisha asnjë mendim. Në atë kohë unë nuk lexoja poezi, aq më tepër poezi epike, sepse nuk më tërhiqnin, kur kam qenë studentë si ju, Fishta vazhdonte të ishte gjithmonë i ndaluar, pak fare i gjetshim, por si student, unë kam pasur një shpërfillje, jo vetëm për të, por për shkrimtarët klasik shqiptarë. Kjo ishte një sëmundje e kohës, ose një sëmundje që përtëritet në kohë gjithmonë. Po në atë kohë ishte shumë e theksuar, po afronin vitet 60, në gjithë botën kishte një mohim të letërsisë klasike.”

Pyetjes nëse pret të marrë çmimin NOBEL, ai i është përgjigjur, se tashmë është mësuar me mungesën e këtij çmimi. Përsa i përket politikë është shprehur, se nuk do të pranojë asnjëherë postin e kreut të shtetit shqiptar, pasi do të qëndrojë thjesht shkrimtar./tvklan.al

Gazetare: Vilma Masha