Prokuroria dërgon për gjykim Andrew Boden dhe Albano Velon

Andrew Bode dhe Albano Velo janë marrë zyrtarisht të pandehur nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e Edmond Papës. Ngjarje e ndodhur pasditen e 16 Dhjetorit të 2022. Ndaj dy të pandehurve rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”. Në bazë të hetimeve të prokurorisë dyshohet se Papa u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt i njohur si ‘Sanço’, gjatë një atentati me minë të telekomanduar.

Fashikujt e prokurorisë janë dorëzuar zyrtarisht në dyert e Gjykatës Penale të Tiranës, për seancën paraprake ku do të vendoset edhe fati i kësaj çështje.

Prokuroria ndërkohë ka ndarë një procedim penal për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në vrasjen e Papës.

Andrew Bode, i njohur edhe me emrin Ervin, është i dyshuar si ekzekutor i Edmond Papës. Bode duhet theksuar se është në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia jonë. 

Andrew Bode u zbulua nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Selitës aty ku u ekzekutua Edmond Papa. Për ngjarjen ka rënë në pranga edhe 31-vjeçari Albano Velo i cili akuzohet nga prokuroria se ka pasur rolin e vëzhguesit. Nga verifikimi i tabulateve telefonike të Albano Velos është provuar se ditën e krimit, më 16 Dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u vra Papa.

Po ashtu sipas prokurorisë ka dyshime së Edmond Papa ka qenë nën ndjekjen e personave që kanë dhënë urdhin për ekzekutimin e tij që në muajin Nëntor. Albano Velo dhe Andrew Bode, janë lidhje shoqërore e Aleksadër Sadikajt që u ekzekutua me shpërthim me eksplozivë në 11 Qershor të vitit të shkuar. Sipas dosjes hetimore Sadikaj është takuar me Edmond Papën dy ditë përpara së t’i bëhej atentat në qytetin e Sarandës.

Klan News