Enkelejd Alibeaj thotë se në Konferencën e Kryetarëve u rrëzuan 3 nga 4 kërkesat e opozitës për të diskutuar në parlament lidhur me çështjen “McGonigal”.

Në përfundim të mbledhjes, Alibeaj tha për gazetarët se ka patur kërkesa për interpelancë, kërkesë për pyetje-përgjigje, kërkesë për mocion me debat dhe kërkesë për Komision Hetimor.

U pranua vetëm kërkesa për mocion me debat me Ramën, por nuk u caktua dita që do të mbahet.

Sipas Alibeajt, mazhoranca është bërë “gardh” për të fshehur Kryeministrin Edi Rama.

“Instrumenti është i thjeshtë, interpelanca, është njëri nga instrumentet që kërkohet që anëtarëi i Këshillit të Ministrave, Kryeministri është i detyruar të jetë i pranishëm në seancë dhe të japë shpjegime para deputetëve, para publikut për një çështje kaq të madhe, kaq të rëndësishme që ka interes publik këtu dhe në SHBA që bazohet në dokumente të drejtësisë amerikane të cilat e përmendin atë me emër dhe me mbiemër. Dhe cila ishte përgjigjia e mazhorancës? Nuk e pranojmë. Me arsyetimin se u ezarua seancën e kaluar. Nuk përgjigjej Rama se është fshehur, do duhej të përgjigjej Elisa. E kuptoni fare mirë që kjo është tallje, është shkelje e Kushtetutës, është shkelje e rregullores, është asgjësim i parlamentarizimit, i mjeteve që deputetët kanë që për çështje kaq të mëdha të interesit publik t’ia bëjnë me dije publikut.

Kërkesa e dytë është një kërkesë bazuar në rregullore për pyetje dhe përgjigje që i drejtohet Edi Ramës. Ka 15 pyetje të shkruara nga deputetë të opozitës të cilët ia drejtojnë Kryeministrit të akuzuarit kryesor dhe të vetëm dhe ka detyrimin që të përgjigjet. Madje ka pasur dhe kohën të lexojë, të mbledhë prova dhe të dalë para Parlamentit për të dhënë përgjigje. Nuk u pranua as kjo. Është një lojë si e si për ta fshehur Ramën nga ca fakte të cilat kanë dalë jo nga ne, ka dalë nga drejtësia amerikane.

Së treti, ka një kërkesë për mocion i paraqitur dy seanca më parë. Një mocion i cili kërkonte që në këtë mocion do duhet që secili nga deputetët të shprehet në kohë limit të vetë që ka 10 minuta. E para, kanë detyrimin që ta caktonin që në seancën më të parë të parlamentit që është ajo e javës së ardhshme datës 16 Shkurt. E shtynë, nuk caktuan një datë me alibinë se nuk qenkërkan edhe dy kryetarë të tjerë të grupeve parlamentare. Në fakt është Konferenca ajo e cila përcakton për ata të cilët kanë paraqitur një kërkesë për mocion të caktojë seancën se kur do duhet të shqyrtohet, së dyti lidhur me kohën ishte e shkruar qartësisht.

Kishte dhë një kërkesë, që është ajo për Komisionin Hetimor. Meqënëse na paska disa iniciativa për të ndryshuar dhe përmirësuar ligjin për Komisionet Hetimore, deri sa të miratohet ky ligj nëse do të miratohet, e shtynë miratimin e kërkesës për Komision Hetimor. Dhe ky është asgjësim total i njërit prej instrumenteve më të rëndësishëm që opozita ka, Komisionet Hetimore. Është bërë një lojë e cila kërkon të nxjerrë në dritë pikërisht Kryeministrin Edi Rama, janë bërë gardh të gjithë, si e si ta fshehin me alibira, me justifikime, me vendimmarrje antikushtetuese”, u shpreh Enkelejd Alibeaj. /tvklan.al