Mediat serbe kanë pasqyruar vizitën në Kosovë të Kryeministrit Edi Rama dhe mesazhet që ai ka përcjellë për Prishtinën dhe Beogradin.

“Rama sulmon Serbinë nga Prishtina: Jeni mundur në fushën e betejës”, me këtë titull ka nisur artikullin e përditshmja serbe “B92”.

Veprimet e Serbisë në kufirin me Kosovën ku janë parë të fluturojnë avionë e helikopterë ushtarakë, Kryeministri Edi Rama i ka konsideruar “manovra teatrale”.

“Në fakt qytetarët serbë në Kosovë jetojnë pa asnjë kërcënim, madje qeveria e këtij vendi u ka paguar edhe faturat e energjisë elektrike, gjë që nuk e bën askush, jo vetëm në Ballkan por as në botë”, u shpreh Rama ndër të tjera në konferencën për shtyp me Kryeministrin Albin Kurti.

Kreu i qeverisë shqiptare tha gjithashtu se për situatën e krijuar në veri të Kosovës nuk ka biseduar me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke shtuar se në këtë rast Kosova ka të drejtë.

“Kur bëhet fjalë për Ballkanin e Hapur, Rama tha se kishte shumë mesazhe për shkak të situatës së krijuar, por tha se tani është akoma më i bindur që kjo nismë duhet realizuar. Rama tha se Kosova ka plotësisht të drejtë në lidhje me reciprocitetin e targave me Serbinë, por shtoi gjithashtu se dialogu është zgjidhja e vetmje për këtë çështje”, shkruan mediat serbe B92. /tvklan.al