Yllit argjentinas i është propozuar rinovimi nga klubi parisien dhe nëse pranon do të jetë në Paris deri ne 2024

Leo Mesi do ta shqyrtojë me imtësi ofertën që klubi i PSG-së i ka bërë për të rinovuar.

Klubi parisien nuk do që ta humbë sulmuesin dhe i ka propozuar që tani rinovimin. Ylli argjentinas ka firmosur një kontratë dy vjeçare në gushtin e 2021-it, me opsionin për ta zgjatur edhe me një tjetër vit. Por deri tani nuk është vënë në fuqi.

Por sipas radios Cadena Ser, presidenti i klubit Naser Al Khelaifi dëshiron që të vazhdojë bashkëpunimin dhe i ka ofruar shtatë herë fituesit të Topit të Artë një kontratë me një vit më shumë, plus opsionin për të rinovuar me një tjetër sezon.

Pra, nëse pranon, Mesi do të jetë pjesë e PSG-së deri në vitin 2024 dhe do të ketë mundësinë që ta zgjasë deri në 2025, kur ikona argjentinase do të mbushë 38 vjeç.

Oferta ekonomike do të jetë identike me atë që ai ka aktualisht.

Mesi do të paguhet 30 milionë Euro neto në një sezon.

Në vitin e parë futbollistik, argjentinasi nuk arriti të shfaqte më të mirën e tij, por në këtë sezon është kthyer në nivelet më të larta.

Edhe me kombëtaren e Argjentinës që konsiderohet si një nga favoritet për botërorin Katar 2022, ai është dalluar në fushë.

Edhe Barcelona ka ëndërr rikthimin e 35-vjeçarit në sezonin e ardhshëm, e ka hartuar një plan për ta risjellë atë në “Kamp Nou”. Duket se kjo ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit parisien.

Klan News