Presidenti i Republikës dhe Kryeministri Rama janë përplasur edhe për deklaratat e Komisionerit për Migrim, Dimitris Avramopoulos. Një ditë më parë ai paralajmëroi ndërmarrjen e masave nga BE për vendet që kanë patur tendencë për rritjen e kërkesave për azil. Shqipëria renditet pas Venezuelës dhe Kolumbisë, duke kryesuar listën e vende që kanë dhe numrin më të lartë të azilkërkuesve.

Meta duke komentuar këto deklarata tha se ishte i shqetësuar lidhur me rrezikun e rivendosjes së regjimit të vizave “Shengen” për Shqipërinë.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje, që mbart një ndjeshmëri të madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë. Bëj thirrje, të merren urgjentisht të gjitha masat e nevojshme duke mos neglizhuar apo anashkaluar asnjë përgjegjësi që do të dëmtonte dhe prapësonte këtë liri të fituar të shqiptarëve!”

Por nga Londra, Rama shqetësimin e kreut të shtetit e cilëson të pavend. Sipas Kryeministrit, Meta nuk duhet të shqetësohet për vizat, por për vizën që sipas tij po i vë vendit me anulimin e datës së zgjedhjeve.

Presidenti Meta përmend edhe faktin se Holanda ka depozituar kërkesën për rivendosjen e vizave për shqiptarët në Bruksel, por vendimi do të merret nga Komisioni Europian, drejtuesit e të cilit deri tani janë shprehur se nuk ka asnjë të dhënë që të çojë në një vendimmarrje të tillë.

Tv Klan