“Është koha për zbatimin korrekt të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”.

Kështu shprehet Presidenti Ilir Meta në lidhje me opinionin përfundimtar të “Venecias” për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni thoshte që zgjidhja mund të vijë vetëm përmes bashkëpunimit dhe konstruktivitetit mes palëve.

Ilir Meta ka shpërndarë në rrjetin e tij social një intervistë të profesoreshë Angelika Nussberger, anëtare e komisionit për Deustche Welle. Ajo thoshte ndër të tjera se Komisioni i Venecias e shpjegon pozicionin e tij ligjor sa më qartë të jetë e mundur, prandaj nuk ka vend për interpretime mes palëve.

“Po, nuk ka më vend për interpretime”, shkruan Meta, i cili shton se Komisioni i Venecias do të ndjekë edhe zbatimin e rekomandimeve të tij të fundit për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

“Po kështu rekomandimet e Komisionit të Venecias janë në ndjekje nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare”, shkruan Meta.

Presidenti shton se rruga e bashkëpunimit dhe konstruktivitetit është e vetmja mënyrë drejt çeljes së negociatave./tvklan.al