“Të lexohen mirë rekomandimet e Komisionit të Venecias”

Presidenti Ilir Meta do të ftojë për një takim fillimin e javës së ardhshme kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, për të diskutuar dhe koordinuar bashkëpunimin mes institucioneve për bërjen sa më shpejt funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i kreut të shtetit vjen pas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias në lidhje me “Kushtetuesen”.

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, ka sqaruar përmes një postimi në rrjetet sociale, se kreu i shtetit është i vendosur për të zbatuar me përkushtim dhe transparencë të plotë rekomandimet e Komisionit të Venecias për zhbllokimin e situatës përmes bashkëpunimit të institucioneve sipas parimit të luajalitet kushtetues.

Blushi thotë ndër të tjera se Meta vlerëson rëndësinë që kanë të gjitha institucionet që përmenden në raportin e Komisionit të Venecias. Opinioni final i saj, Meta bën thirrje, që të lexohet me kujdes dhe në mënyrë të thelluar pasi është një punë e kujdesshme e ekspertëve për ta nxjerrë vendin nga qorrsokaku.

“Ku nuk na futi Kushtetuta, por mungesa e respektit për të”, shkruan Blushi.

Zëdhënësi i Presidentit thotë se nëse iniciativa e Presidentit Meta për një koordinim të përbashkët mes Presidentit, Kuvendit dhe Euralius për hedhjen e shortit dhe funksionimit të KED nuk do të ishte minuar që në Nëntor 2017, vendi nuk do kishte ngelur pa Gjykatë Kushtetuese, opozita nuk do kishte dalë nga kuvendi dhe negociatat do të ishin hapur prej kohësh.

Megjithatë Presidenca sheh tashmë me përqendrim përmbushjen e rekomandimeve të opinionit të Komisionit të Venecias.

“Por, tani është me e rëndësishme të përqëndrohemi te përmbushja e rekomandimeve të Komisionit të Venecias për të ecur përpara përmes bashkëpunimit, transparencës dhe respektimit të Kushtetutës”, shkruan Blushi./tvklan.al