Presidenti: Sipërmarrësit e ndershëm t’i bashkohen manifestimit

Kreu i shteti ka rikthyer në vëmendje ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Dividentin, nga 15 në 8%, në Dhjetor të vitit 2018. Meta e quajti antikushtetues dhe kriminal votimin në Kuvend, duke paralajmëruar kallëzim penal.

“Që me hyrjen në fuqi të nenit 9 të ligjit të miratuar, oligarkët e qeverisë dhe gjithë ata që kanë paguar nëndorë qeverinë dhe deledeputetët që votuan këtë dhunim të Kushtetutës do të favorizoheshin me këtë lehtësim fiskal për të paguar jo 15 përqind, por 8 përqind për të kaluarën. Do të paraqes në ditët e ardhshme kallëzimin penal në prokurorinë e posaçme për të zbardhur të gjithë këtë skemë kriminale dhe klienteliste dhe vendosjen para drejtësisë menjëherë të gjithë autorëve të saj.”

Kreu i shtetit komentoi edhe arrestimin e botuesit Henri Çili, duke bërë një krahasim me akuzat që ai ka bërë për kreun e KED-së, Ardian Dvorani.

“Një shtet që paraqet ndalimin e kolegut tuaj Henri Çili, i cili mund ta ketë shkelur ligjin dhe duhet të përgjigjet në gjykatë, sikur të ishte arrestimi i Totorinës. Ndërkohë që ne e dimë shumë mirë, Dvorani vazhdon dhe bën moral dhe vazhdon në krye të KED”.

Edhe për replikat në distancë mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt, Presidenti duket se i ka idetë e qarta.

“Ndoqa edhe sot këto lojërat e tij, duke marrë gjoja anën e Albin Kurtit kundër Ramush Haradinajt. Lojën e kësaj, se thashë të këtij… Gruaja e Bilalit e ka kaluar me kohë kufirin dhe vijën e kuqe, edhe në raport me çështjen ndërkombëtare, jo vetëm me Kushtetutën e Shqipërisë. E ka tepruar shumë, po provokon më shumë seç duhet Ramush Haradinajn”.

Më herët, Presidenti kishte marrë edhe mbështetjen e Lulzim Bashës për manifestimin në bulevard. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i demokratëve konfirmoi praninë e tij në tubim.

Tv Klan