Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë një konference për mediat pas takimit me Këshillin e Ambasadorëve deklaroi se do të qëndrojë në shesh derisa t’i kthehet popullit e drejta për referendum.

Presidenti theksoi se me këtë klasë politike vendi është i pashpresë.

“Si President i Republikës kam vendosur pas gjithë përpjekjeve të mia për të gjetur rrugën e dialogut, bashkëpunimit, me qeverinë, kuvendin, opozitën, të zbres në shesh. Nuk do të iki nga sheshi derisa t’i kthejmë popullit shqiptar të drejtën për referendum që ka në Kushtetutë. Me këtë klasë politike jeni të pashpresë”, tha Meta, i cili shtoi se pas disa viteve nuk do ketë më shqiptarë në Shqipëri.

Më 8 Dhjetor, ditën që ka paralajmëruar për tubim, Meta tha se do të fillojë një epokë e re.

“Në 8 Dhjetor fillon një Dhjetor i dytë që nuk përfundon derisa populli të fitojë atë që ka bërë vetë. Kjo nuk do të thotë që mitingu i 8 Dhjetorit do vazhdojë një javë. Presidenti është palë me popullin dhe referendumin dhe do bëjë çdo gjë që populli të marrë në dorë fatet e veta përmes referendumit në mënyrë që populli të mos mbetet më në mëshirën e partive dhe të mos jetë më në lojën e partive politike. Në datën 8 Dhjetor bëhet fjala për të filluar një epokë të re. Epoka e partive përfundoi për mendimin tim. Ata nuk mund të prodhojnë një dialog të qëndrueshëm, as nuk bashkohen për interesin kombëtar. gjithmonë do të bëjnë lojëra të tilla dhe do ia vejnë fajin njëra tjetrës”, tha Meta. /tvklan.al