Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Forumin Global të Komitetit Hebraik Amerikan, që mbahet në Washington. Gjatë këtij Forumi u zhvilluan edhe dy seanca të veçanta, kushtuar raporteve mes popullit shqiptar dhe popullit hebre, si dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë, Izraelit dhe SHBA.

“Jam krenar që përfaqësoj një vend si Shqipëria, që kontribuoi në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne shqiptarët jemi një vend i vogël, si vetë Izraeli, por jemi tepër krenarë për traditat tona. Një prej tyre, është harmonia e mrekullueshme ndërfetare, një shembull se si besimet e ndryshme mund të bashkëjetojnë në paqe dhe në harmoni duke festuar bashkarisht ditët e veçanta të çdo besimi. Kjo traditë përbë një produkt të veçantë eksporti shqiptar në botë”.

Më tej, Meta u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të rëndësishme, ndaj po punohet për intensifikimin e tyre në fushën e bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve izraelite në Shqipëri.

Tv Klan