“Shkeljet e presidentit nuk janë të rënda”

“Për shkeljet e kryera nga Presidenti i Republikës, në formën e veprimeve apo mosveprimeve në tërësinë e tyre, nuk konsiderohen të mjaftueshme për të justifikuar propozimin për seancën plenare për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.

Me këtë konkluzion Komisioni Hetimor Parlamentar miratoi me 6 vota pro raportin final që do t’i paraqitet Kuvendit për votim.

“Me 6 vota pro, me rezervën që kolegu Fino shprehu, asnjë kundër, asnjë abstenim, miratohet raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor të Kuvendit”, tha Ulsi Manja.

Komisioni përfshiu në raport edhe disa përfundime të tjera, duke propozuar miratimin edhe të një ligji organik për presidentin.

Pavarësisht se të gjithë deputetët socialistë votuan pro këtij raporti, mes tyre pati edhe rezerva.

“Fjalia në fund që tha që ndonjërit nga ju nuk iu realizua dëshira personale për të shkarkuar presidentin, unë personalisht distancohem nga kjo deklaratë sepse nuk ka dëshirë personale të asnjë njeriu për të shkarkuar presidentin, aq më tepër timen personalisht, për lidhjen politike të gjatë që kam me Ilir Metën”, u shpreh Bashkim Fino.  

Ndërsa Alket Hyseni tha: “Në asnjë rast nuk iu referova dëshirës së zotit Fino, por thashë të dëshirës së ndonjë kolegu dhe disa e kanë shprehur hapur edhe në diskutime”.

Për rezervat e shprehura nga deputetë të ndryshëm, kryetari i komisionit u shpreh krenar për punën e komisionit.

“Kemi arsye për t’u ndierë si jurist krenarë, si deputetë të këtij parlamenti dhe të kësaj legjislature krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm që kemi dhënë me këtë produkt të natyrës tërësisht kushtetuese dhe ligjore”.

Tv Klan