Kontrata për aeroportin, Meta-deputetëve: Mos e rrëzoni dekretin

Për presidentin Ilir Meta Reforma në Drejtësi nuk ka rezultuar e suksesshme. Dështimin sipas kreut të shtetit e kanë sjellë aferat e shumta korruptive, një prej tyre ligji për zgjatjen e afatit të koncesonit të aeroportit “Nënë Tereza”.

“Nëse do të kishim patur vërtetë një Reformë në Drejtësi të suksesshme, kurrë nuk do të kishin guxuar ministrat, qeveria dhe vetë Kuvendi të bëntë këto gjëra që ka bërë dhe që ju ftoj shumë që t’i lexoni. Ashtu sikurse nuk do të kishin guxuar të bënin dhe shumë gjëra të tjera, afera të tjera”

Kreu i shtetit u kërkoi deputetëve të Kuvendit të reflektojnë dhe të mos e rrëzojnë dekretin e tij . Kjo kërkesë ndaj ligjvënësve, u shoqërua me një paralajmërim.

“I bëj thirrje çdo deputeti dhe çdo zyrtari të lartë të reflektojë me shumë përgjegjësi mbi këtë nismë dhe të respektojë kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet e vendit që janë në zbatim të saj, duke paralajmëruar njëkohësish se për çdo vepër penale të konsumuar gjithçka do të mbahet shënim dhe nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi”, tha Meta.

Ligji që zgjat afatin e koncesionit të Aeroportit “Nënë Tereza” me 13 vjet, u kthye për rishqyrtim në Kuvend  nga presidenti disa ditë më parë. Në argumentimin prej 43 faqesh, presidenti Meta e cilëson ligjin një-partiak dhe anti-kushtetues.

Klan News