“Për muajt Nëntor-Dhjetor numri i viktimave u rrit me 111%”

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se plani i masave për përballimin e pandemisë ka dështuar në mbrojtjen e sa më shumë jetëve njerëzore. Për të mbështetur këtë, Meta ka publikuar në rrjetet sociale statistikat sipas të cilave, Shqipëria ka zënë vendin e parë në Europë për numrin e jetëve të humbura nga Covid-19.

Një përllogaritje që sipas Metës shkon në +111% për muajt Nëntor-Dhjetor. Kreu i shtetit i bëri thirrje që të ndalet propaganda boshe dhe të hartohet një plan konkret afatgjatë.

“Në kushtet kur numri i të prekurve po rritet çdo ditë me ritme tepër të larta shqetësuese, përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të ndalur urgjentisht propagandën boshe dhe për të hartuar një plan konkret afagjatë, për menaxhimin efikas të situatës, që po del nga kontrolli, duke filluar nga përmirësimi i prekshëm i kushteve në spitale, tek publikimi i një strategjie për vaksinimin e popullatës, që nuk mund të lihet në mëshirë të fatit”, shkruan Meta në Facebook.

Ai bën thirrje që të ndalohen pagesat buxhetore për PPP-të dhe thotë se është momenti për të menduar e vepruar për shqiptarët dhe jo oligarkët./tvklan.al