Meta vlerëson me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’ Njësinë izraelite të Shpëtimit

Meta vlerëson me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’ Njësinë izraelite të Shpëtimit

09:48 23/01/2020

Gjatë vizitës që po zhvillon në Izrael, Presidenti Ilir Meta vizitoi bazën ushtarake të Ramlës, pjesë e Forcave izraelite të Mbrojtjes.

Meta u takua me personelin ushtarak, një pjesë e të cilit dha kontribut të veçantë për tejkalimin e pasojave të rënda që la pas tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor 2019.

Presidenti Meta inspektoi dhe ndoqi nga afër demonstrimet e operacioneve dhe të teknikave të kërkim-shpëtimit, duke vënë në dukje se “personeli i Njësisë izraelite jo vetëm ndihmoi në operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe në vlerësimin e banesave dhe shtëpive të dëmtuara, por luajti një rol të jashtëzakonshëm psikologjik për qetësimin e banorëve të prekur nga tërmeti”.

Me këtë rast, Meta vlerësoi Njësinë izraelite të Shpëtimit Kombëtar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” duke shprehur mirënjohjen shtetërore, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmesën e jashtëzakonshme dhe profesionalizmin e lartë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Gjenerali Major Tamir Yadai, ideatori i dërgimit të Njësisë izraelite të Shpëtimit Kombëtar, theksoi se “kur planifikuam të udhëtojmë drejt Shqipërisë, e dinim historinë dhe lidhjen e fortë mes dy popujve, sepse ne gjithmonë do t’u jemi mirënjohës shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dëshiroj t’ju bëj me dije se nëse shqiptarët do të kenë sërish nevojë për ndihmën tonë, ne do të jemi patjetër aty”! /tvklan.al



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi