Gjyqtarët dhe prokurorët të cilët janë larguar nga sistemi i drejtësisë, duhet të hetohen nga struktura e prokuroria kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Verifikimi i punës së tyre u kërkua nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj në komisionin e ligjeve. Para deputetëve, Gjonaj tha se nëse ka indicie korrupsioni të nisë dhe procedime penale.

“SPAK të fillojë të vijojë në hetimin e të gjithë gjyqtarëve apo prokurorëve për të cilët nga procesi i vetingut ka  rezultuar që ka prova apo fakte për vendosjen e pasurisë për shkak të korrupsionit”, është shprehur Etilda Gjonaj.

Gjatë relatimit në komisionin e ligjeve, u evidentua fakti që në Shqipëri që nga viti 2018 deri më sot ka shumë vepra penale të pastrimit të parave që janë hetuar por ska asnjë të dënuar.

“Ky grup  veprash lë për të dëshiruar, janë 286 vepra penale, 59 persona janë në hetim, nga të cilët 23 janë marrë të pandehur, por nuk kemi të dhëna për rastet e gjykuara për këtë vepër penale dhe të personave të dënuar me vendim të formës së prerë”, është shprehur kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja.

Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe Gjonaj u shprehën duhet të ashpërsohet Kodi Penal për rastet e dhunës në familje dhe përdhunimet e të miturve. Sipas tyre, do të kërkohet që këta persona të mos përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar.

“Ne po punojmë për kodin penal dhe tashmë kemi një draft shumë të mirë të tij dhe sidomos në kapitujt që lidhen me dinjitetin e e njeriut duke iu përafruar kryesisht direktivave  e BE-së”, është shprehur Etilda Gjonaj.

Sipas ministres Gjonaj e cila u thirr në komision për të raportuar për situatën e krimit në 2020, konstatohet se vitin e shkuar u regjistruan 3002 vepra penale për lëndët narkotike, 444 më shumë se viti 2019.

Klan News