Mjekët rusë: Nuk ka gjurmë helmimi në gjakun e Navalny


Mjekët rusë: Nuk ka gjurmë helmimi në gjakun e Navalny

12:47 21/08/2020

Moska pranon ofertën e Merkelit për kurimin në Berlin

Mbeten mister shkaqet e sëmundjes së një prej figurave kryesore të opozitës anti-Putin në Rusi, Aleksei Navalni. Nëndrejtori i spitalit të Omskut ku Navalni u shtrua në gjendje kome hodhi poshtë dyshimet e mediave se ai është helmuar.

Anatoli Kaliniçenko tha se në gjakun e Navalnit nuk është gjetur asnjë gjurmë helmi apo substance tjetër të rrezikshme. Kaliniçeko u shpreh se shkak mund të ketë qenë një çrregullim i metabolizmit që mbetet për t’u përcaktuar.

Ndërsa mjekja personale e tij Anastasija Vasiljeva shprehu bindjen se Aleksei Navalni është helmuar me një helm ende të panjohur. Mungesa e transparencës nga autoritetet shëndetësore, sipas saj, është një tjetër fakt që ushqen këto dyshime.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron ofroi ndihmën e saj për ta çuar Navalnin për kurim në një spital të specializuar në Berlin.

Merkel urdhëroi dërgimin e një avioni të posaçëm për transportin e tij. Fillimisht autoritetet ruse refuzuan me argumentimin se gjendja e tij shëndetësore është aq e rëndë sa e bën të rrezikshëm zhvendosjen drejt Gjermanisë, por disa orë më pas e pranuan ofertën.

Sipas mjekëve që po e kuronin gjendja kishte pësuar përmirësim dhe që mund ta lejonin të zhvendosej jashtë vendit. Prej mëngjesit të së enjtes, Navalni ndodhet në spitalin e Omskut, pasi u ndje keq në avionin ku po udhëtonte drejt Moskës.

Tv Klan





Të ngjashme