Të paktën 14 persona kanë humbur jeten dhe shumë të tjerë janë lënduar nga moti i keq në Bosnje Hercegovinë.

Për shkak të reshjeve të shiut janë përmbytur disa komuna ndërsa ka probleme nga rrëshqitjet e dherave. 

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar ditën e sotme, qeveria ka vendosur që në komunën e Jabllanicës të angazhohen Forcat e Armatosura në Bosnje.

Pamjet me dron tregojnë fshatra dhe qytete të zhytura plotësisht nën ujë.

Ekipe të shpëtimit, njësi të tjera dhe një helikopter i ushtrisë po ofrojnë ndihmë për civilët në këtë fatkeqësi natyrore.

Disa prej rrugëve janë mbyllur dhe linjat e komunikimit telefonik janë ndërprerë pjesërisht në zonën e Jabllanicës dhe Konjicës.

Reshje intensive dhe erërat e forta u raportuan gjithashtu në Kroaci ku disa rrugë u mbyllën dhe autoritetet janë në gatishmëri për shkak të fryrjes së lumit Sava.

Alarmi i kuq është shpallur edhe në 13 rajone në Itali për shkak të motit të keq. Shirat kanë rritur nivelet e lumenjve duke shkaktuar rrëshqitje dherash në Emilia Romagna.

Lumi Lamone në Ravena doli nga shtrati duke përmbytur disa shtëpi. Autoritetet kanë evakuuar banorët në katet përdhese.

Dëme dhe përmbytje janë raportuar në të gjithë provincën e Perugias. Alarmi portokalli është vendosur edhe në pjesën qendrore-veriore të Marche si dhe në Veneto, Umbria, Lazio, Abruzzo dhe Molise. Shkollat dhe kopshtet janë mbyllur për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike. 

Klan News