Forcat amerikane në Lindjen e Mesme kryen bombardime në disa pjesë të Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sanaa dhe aeroportin Hodeidah. Raportimi fillestar erdhi nga televizioni Al Masirah i drejtuar nga lëvizja Houthi që kontrollon pjesën më të madhe të Jemenit. Sulmet patën në shënjestër edhe jugun e qytetit Dhamar.

Televizioni tha se sulmet ajrore u kryen nga forcat amerikane dhe britanike, por një burim i qeverisë britanike i tha agjencisë “Reuters” se Britania nuk ishte e përfshirë. Sulmet vijnë si përgjigje ndaj goditjes së vazhdueshme të anijeve tregtare dhe Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza.

Më 1 tetor grupi Houthi publikoi këtë video që tregonte një anije teksa goditet nga një raketë dhe më pas duket shpërthimi në flakë.

Sipas agjencive të sigurisë detare dhe burimeve që monitorojnë zonën, dy anije pësuan dëmtime pasi u goditën me raketa dhe një dron detar në portin Hodeidah të Jemenit në Detin e Kuq. Të dyja anijet raportuan se ekuipazhi i tyre ishte i sigurt. Militantët Houthi të lidhur me Iranin kanë ndërmarrë sulme ndaj anijeve tregtare që kalojnë pranë Jemenit që nga nëntori i kaluar në solidaritet me palestinezët dhe kundër luftës së Izraelit me Hamasin.

Sulmet e Houthi-ve kanë ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe penguar tregtinë globale, pasi pronarët e anijeve po i mbajnë mjetet larg Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit dhe zgjedhin një rrugë më të gjatë rreth skajit jugor të Afrikës.

Klan News