Veshja myslimane dhe “propaganda homoseksuale” janë të ndaluara në një fshat të largët në Hungari.

Kryetari i fshatit hungarez të Asotthalom-it kërkon që njerëzit të zhvendosen atje, por kërkon vetëm të krishterë evropianë.

Fshati po ashtu ndalon veshjen islamike, thirrjen e ezanit dhe shfaqjet publike në favor të homoseksualëve.

Pyetjes se a po përpiqen të krijojnë një fshat me supermaci të bardhë, kryetari i fshatit i përgjigjet me jo. “Unë nuk e përdora këtë fjalë, ‘të bardhë’. Por, ngase ne jemi të bardhë, Evropianë dhe të krishterë, ne duam të qëndrojmë kështu,” tha Laszlo Toroczkai, i cituar nga “BBC”.

“Pikë së pari në mirëpresim njerëz nga Evropa Perëndimore. Njerëzit që nuk pëlqejnë të jetojnë në një shoqëri multi-kulturale. Ne nuk dëshirojmë të tërheqim myslimanë në fshat, megjithëse ne tashmë kemi disa rezidentë myslimanë në Asotthalom. Por, është shumë e rëndësishme për fshatin të ruajmë traditat,” tha Toroczkai.

Qeveria Hungareze do të vendosë se sa të ligjshme janë rregullat e Asotthalom-it.

Shumë rezidentë mbështesin ligjet e reja, por jo të gjithë bien dakord.

“Familja myslimane që jeton këtu është plotësisht e integruar me ne. Ata nuk provokojnë njeri. Nuk veshin hijabin, nuk i bien në qafë njeriu. Djali i tyre luan futboll, Unë i kam mësuar notin. Ne kalojmë shumë mirë me ta,” thotë një rezident.

“Ka homoseksualë që jetojnë në fshat. Ata janë krejt në rregull. Ne i takojmë, flasim me ta, mënyra se si e jetojnë jetën në shtëpinë e tyre nuk është puna jonë. Ne të gjithë jemi njerëz,” thotë një tjetër rezidente.

Asotthalom është një fshat hungarez në kufi me Serbinë, i rrahur nga emigrantët gjatë krizës së viteve të fundit në rrugën e tyre nga Ballkani drejt vendeve perëndimore të Bashkimit Evropian. /tvklan.al