Vizitat në vende të pazakonta janë të panumërta, ashtu si edhe situatat që mund të hasësh në to. Blendi Fevziu mund t’i përmblidhte të gjitha fare mirë në një enciklopedi, të ndërthurura me përvojat në udhëtime,bisedat, ngjarjet e çuditshme që mund t’i përjetosh vetëm kur je udhëtar. Në një intervistë për “Shije Shtëpie” në Tv Klan, gazetari i njohur rrëfen një episod nga Izraeli, i cili i rezultoi edhe në një udhëtim të shkurtër fantastik në Palestinë, por dhe disa ‘të bërtitura’.

Blendi Fevziu: Të njëjtën histori kam pasur, ajo ishte pak më e komplikuar, në Izrael, në vizitën e parë në Izrael ku unë shoqëroja presidentin, por unë nuk shkova në ceremoninë e tij se nuk kisha ndonjë interes dhe bashkë me një nga badigardët e presidentit dhe shoferin e ambasadës, në një nga makinat e ambasadës,  i  thashë “dua të shkoj të shoh kishën ku ka lindur Krishti”. Kisha ku ka lindur Krishti është në Betlehem, në zonën që sot i takon autoritetit palestinez.

Trupat izraelite ishin në kufi, i thamë “duam të shkojmë të shohim kishën e Natalitetit. Ai tha “po, por duhet t’ju lënë palestinezët”. Shkuam në pjesën palestineze të kufirit, ata ishin ca tipa të gjatë, me kapuça të zinj, komplet të veshur me të zeza, dukeshin si viganë. I thashë “dua të shikoj kishën e Natalitetit”,  “çfarë jeni?”, “shqiptarë”. Tha “shihni dhe xhaminë se është shumë e bukur”. “Po edhe xhaminë”, thashë. Ikëm ne, pamë kishën, pamë xhaminë unë dola se isha shumë kurioz për jetën e zonës së Betlehemit, më pas kam qenë edhe në Ramallah që është thelbi i jetës së Palestinës. 

Kur u kthyem, mund të kemi gjetur nja 10 makina ushtarake, persona të sigurisë aty sepse makina jonë ishte me regjistrim diplomatik dhe ishte dhënë informacioni që një makinë e regjistruar në shtetin e Izraelit kishte dalë në territorin palestinez, ku Izraeli nuk ka autoritet për sigurinë, ndërhyn në raste të veçanta dhe ata kishin frikë që mund të ndodhte një gjë me një makinë të regjistruar dhe nuk dinin gjë kush ishte në makinë. Na thanë, na bënë shumë fjalë, “ju jeni delegacion, jemi ne garant për sigurinë tuaj, nuk duhet të ikni më kështu siç ikët”, por unë fitova një super trip në Palestinë kështu që rreziku është…/tvklan.al