Kontrolli dhe regjistrimi i gomoneve që transportojnë ilegalisht klandestinë dhe kodi i ri doganor, detyrojnë Parlamentin që të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, ditën e hënë, një javë para datës 18 janar të përcaktuar në bazë të Kushtetutës së Re. Nënkryetari i Parlamentit, z.Dokle, argumenton mbledhjen e Parlamentit me kërkesën urgjente të Kryeministrit Majko.

“Në bazë të Kushtetutës është përcaktuar qartë, neni 74, që Parlamenti mblidhet në sesionin e parë të çdo viti të hënën e tretë të janarit. Kjo është normale sepse të gjitha Parlamentet në Kushtetutat e tyre e kanë përcaktuar mbledhjen e parë. Njëkohësisht lihet edhe hapësira për
thirrje më të shpejtë të Parlamentit kur ka ligje të rëndësishme dhe që nuk durojnë zgjatjen e kohës së shqyrtimit të tyre. Në këtë rast jepet e drejta për thirrjen e përshpejtuar të Parlamentit në një sesion të jashtëzakonshëm dhe pastaj të vazhdojë me probleme të tjera, Presidentit, Kryeministrit dhe 1/4 të deputetëve.” – është shprehur Dokle./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame