Sot dhe nesër do të jenë Ditë Zie Kombëtare, në nder të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare. Me vendim qeverie, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar eshte ulur ne gjysmështizë.

Homazhet publike do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, të mërkurën nga ora 9:00 deri në orën 11:30, dhe nga ora 11:30. Në orën 11:30 do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës dhe orën 12:30 është nisja e kortezhit drejt varrezave të Tufinës. Gjatë së mërkurës në nderim të shkrimtarit të madhe do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.

I njejti vendim është marrë dhe nga Kosova. Presidentja Osmani ka shpallur datën 3 korrik, Ditë Zie në Kosovë. “Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar dekoroi shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin ‘Hasan Prishtina’, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani u shpreh se populli shqiptar humb kolosin dhe dijetarin më të njohur. Shkrimtari i madh Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e të hënës, në në moshën 88-vjeçare.

Ai do të mbahet mend jo vetëm si rojtari i gjuhës shqipe, por dhe si një shkrimtar që e çoi përpara zhvillimin e saj, edhe më shumë, si një gjeni që e bëri të njohur në arenën ndërkombëtare. Veprat e tij janë përkthyer ne 45 gjuhë të botës. Kadare i ka lënë vendit një pasuri të madhe që brezat do ta gëzojnë gjithmonë, por edhe bota, që e vlerësoi me çmimet më të larta.

Ai u nderua në 2005-ën me çmimin “Man Booker Prize” që ndahet në Britanë e Madhe. Në 2009 mori cmimin në Spanjë, Princi i Austurias për Artet, në Itali u nderua me çmimin “Lerici Pea”. Në Francë u nderua me urdhrat  “Kryqi i Legjionit të Nderit” dhe  “Oficer i Legjionit të Nderit”. Shumë herë ishte kandidat për çmimin Nobel, por ndonëse asnjëherë nuk e fitoi, Kadare mbetet sot shkrimtari më i njohur shqiptar në botë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet Ditë Zie Shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.

Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Klan News