Po kurohej në Gjermani nga një sëmundje e rëndë

“Nder i madh për mua që i vlejta popullit tim! Faleminderit që më dhatë rastin t’ju shërbej…”

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare, në një spital në Gjermani, ku po kurohej prej 21 Prillit. Ai vuante nga pneumonia bilaterale me insuficencë respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga Covid-19.

Fillimisht u shtrua në spitalin Shefqet Ndroqi dhe më pas me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore u dërgua për mjekim më të specializuar në një spital në Berlin.

Burime nga spitali thonë se prej disa ditësh ai po mbahej në jetë me anë të aparaturave, por mesditën e kësaj të shtune, mjekët, me konsensusin e familjes, kanë marrë vendimin t’ia shkëpusin aparaturat.

Ish-Presidenti Nishani e nisi karrierën e tij politike në 1991 duke iu bashkuar Partisë Demokratike. Më pas ai mbajti edhe poste drejtuese në nivel lokal të kësaj force politike, për t’u zgjedhur si deputet i zonës 34 të Kombinatit të Tiranës për herë të parë në vitin 2005.

Në qeverisjen Berisha ai mbajti nga 2007-2011 postin e Ministrit të Brendshëm dhe më pas të Ministrit të Drejtësisë. U rikthyer më pas si Ministër i Brendshëm, detyrë që e mbajti deri në Qershor të vitit 2012.

“Strukturat e shtetit, veçanërisht Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës…”

Karriera e tij kulmoi në moshën 48-vjeçare kur me 11 Qershor u zgjodh nga parlamenti si Presidenti i Republikës, në raundin e katërt me 73 vota pro, 1 votë kundër.

“Betohem! Zoti më ndihmoftë!”

Pas mbarimit të mandatit u angazhua në zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke u zgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar të kësaj force në vitin 2019 dhe më vonë anëtar i Komisionit të Rithemelimit.

“Thjesht i shërbeva vendit tim, atij vendi si e thotë aq bukur Lasgushi i madh “ku më pat lindur dheri i Zotit dhe bëra punën e njeriut”. Faleminderit!”

Bujar Nishani lindi në 29 Shtator të vitit 1966 në Durrës. Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988, ndërsa me ndryshimin e sistemit punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes në vitin 1996.

Tv Klan