Kryeministri Edi Rama fajin për ndërtimet pa leje në bregdet thotë se e ka Policia e Shtetit. Në takimin me drejtuesit më të lartë të këtij organizmi, Rama tha se policët korruptohen dhe lejojnë ndërtimet që janë abuzive dhe që duhet të ndëshkohen.

Më tej ai u shpreh se kjo plagë duhet të shërohet dhe të gjithë ata që shkelin ligjin të dënohen. Rama u bëri edhe njëherë thirrje efektivëve që të mos merren me ndërtimin e një gardhi në një fshat të largët, por më ndërtimet abuzive që bëhen në zonat më të bukura të Shqipërisë.

Shkojmë me keqardhje që policia e shtetit akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimi dhe menaxhimit tonë të shtetit për dekada ndarja e policisë nga ky mision. Ne e kemi njehsuar këtë mision me policinë. Për cilën arsye në botë duhet të kemi akoma shfaqej sporadike të ndërtimeve pa leje? Vetëm për një arsye. Korrupsioni i punonjësve të policisë së shtetit.

Asnjë arsye tjetër nuk ka. Parametrat e sigurisë rrugore dhe garantimi i pacenueshmërisë të territorit nga ndërtimet pa leje duhet të jetë prioritet. Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli, për një gardh, për një mur. Dhe ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore, arkeologjike. Megjithëse e kemi nënvizuar që është e turpshme, e frikshme, është e pagëlltitshme që strukturat e policisë në territor të shpenzojnë energjie, kohë për të shkuar dhe për të futur në telashe dhe ndjekje penale fshatarë që rregullojnë avllitë, ndërkohë që para syve të tyre dhe me miratimin  e tyre dhe pjesëmarrjen e tyre në korrupsion hidhet beton në pjesët më të bukura të trupit të vendit tonë.

Kultivohen puçrra në qelb. Bëhen ndërtime pa leje brenda vijës së verdhë të bashkive, hidhet beton. Çfarë bën Policia e Shtetit në ato kuadrate që janë të ndara qartësisht mes komisariateve? Kthen sytë nga ana tjetër. Dhe këtu nuk flitet për skena krimi ku në pak sekonda del një armë dhe ata që gjuajnë ikin me motor. Flitet për skena krimi aktive me orë, me ditë me javë me net të tëra. Është krim i përcaktuar si i tillë në Kodin Penal të ndërtosh pa leje. Është njësoj si çdo krim tjetër madje dënime shumë të rënda dhe këto skena krimi zhvillohen në sytë e policëve që kanë detyrimin ligjor të veprojnë menjëherë. Kjo nuk ka asnjë emër tjetër dhe nëse nuk i vëmë gjërave emrin e tyre i kemi të vështirë t’i ndryshojmë. Emri është korrupsion, nuk ka tjetër. Ryshfet, bashkshish, poshtërsi, neveri, shëmti“, tha kreu i qeverisë./tvklan.al