Policia ka vijuar kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.  

Si rezultat kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 335 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.  

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 4 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë”, sqaron Policia. 

Po ashtu mësohet se janë evidentuar dhe 3 subjekte tregtare në të cilët ushtrohej aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 23 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 20:30, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili./tvklan.al