Rusia mund të paralizojë Europën me sulme bërthamore, sapo të nisë një luftë me NATO-n. Konstatimi vjen nga prestigjiozja Financial Times, që ka zbuluar një seri dokumentesh sekrete të ushtrisë ruse ku flitet për objektivat që mund të goditen me raketa bërthamore, menjëherë pas nisjes së një lufte të mundshme mes NATO-s dhe Rusisë.

Nga seria prej 29 dosjesh sekrete të para nga gazetarët e Financial Times konstatohet se Moska ka stërvitur flotën ushtarake detare për sulme të tilla nga ujërat e veriut të Europës, shumë kohë para nisjes së luftës në Ukrainë, që nga viti 2008 deri në 2014-ën.

Në shënjestër janë 32 objektiva ushtarake në Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe, Norvegji e më tej në vendet e NATO-s në lindje të kontinentit si Estoni, Rumani, Bullgari e madje edhe në Turqi.

Ushtria ruse parashikon që në këto sulme të përdorë raketa bërthamore si për kryerjen e sulmeve të vogla ndaj objektivave ushtarake por me efekte më shkatërrimtare se ato të zakonshme, ashtu edhe për goditje shkatërrimtare të mëdha si ato të Hiroshimës e Nagasakit të kryera nga amerikanët në 1945-ën.

Prestigjiozja britanike shkruan se flota ruse që patrullon në ujërat veriore mban në gatishmëri raketat me mbushje bërthamore dhe mund të lëvizë me shpejtësi brenda rrezes që përfshin objektivat ushtarake të vendeve europiane.

Tv Klan