Cara “prish” planet e Alban Bushit, i lë vendin Rrapaj

Kombëtarja shqiptare U-21 vazhdon përgatitjet në kuadër të dy sfidave eliminatore të Euro 2023 ndaj Sllovenisë dhe Kosovës të programuara për t’u luajtur këtë muaj. Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi kuqezinjtë kanë zhvilluar seanca stërvitore, teksa FSHF bën me dije se futbollisti Tedi Cara ka pasur probleme fizike dhe me të ardhur në grumbullim i është nënshtruar ekzaminimeve përkatëse.

Pas konsultave me stafin mjekësor të kombëtares U-21 u konkludua se Cara nuk mund të rikuperohet për këto dy ndeshje. Në këtë mënyrë, stafi teknik vendosi që sulmuesi të largohet nga grumbullimi dhe në vend të tij është thirrur futbollisti Arinaldo Rrapaj i Partizanit. Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshjet e radhës të Europianit në transfertë, fillimisht ndaj Sllovenisë më 12 Nëntor ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë kundër Kosovës.

Klan News