Histori me zhurmues – Më 19 Korrik të vitit 1946, gazeta Bashkimi e asaj kohe shpall vendimin e gjyqit të Shkodrës kundër 21 të akuzuarve si “kriminelë lufte” dhe “armiq të popullit”.

Ndër të akuzuarit ishte edhe Nikoll Preng Dedës. Djali i tij, Luigj Dushaj ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, ku rrëfeu historinë e dënimit dhe ekzekutimit të babait të tij.

“Arsyeja e dënimit të babait tim ishte veprimtaria e tij. Përpara se të vinte në pushtet komunizmi babai im ka qenë kryetar komune i Malësisë së Madhe. Ai ka qenë ndër të parët që është ngritur kundër komunizmit. Ndoshta mos organizimi i mirë dhe arsye të tjera bënë që komunizmi të nënshtronte edhe Malësinë e Madhe dhe babai im u detyrua të dilte të jetonte nëpër shpella, në Dragan. Në atë kohë ka qenë 36-37 vjeç. Në atë zonë babai ka patur të martuar një motër, e cila i çonte ushqim dhe tregojnë se ai nuk e pranonte ushqimin nëse nuk i çonin gazetën. Por forcat e sigurimit në atë kohë kanë bërë tortura dhe një person të asaj shtëpie e kanë mbytur duke e rrahur. Atëherë familja ka shkuar dhe i ka thënë babait tim që ta nisin diku jashtë Shqipërisë, por ai nuk ka pranuar. Dhe ka propozuar që do të dorëzohet me një kusht që natën që do të zbriste nga Bjeshkët do darkonte me njerëzit e tij tek shtëpia e motrës dhe ka kërkuar po ashtu që deri në Shkodër të mos e lidhin. I kanë dhënë fjalën se ashtu do të ndodhë dhe pasi ka ngrënë darkë dhe ka nisur të dalë e kanë lidhur. Më 17 Korrik të 1946 kur në mëngjes kanë kërcitur pushkët dhe mbaj mend që nëna dhe gjyshja ime janë çuar në këmbë dhe kanë bërtitur me të madhe. Mua më ka marrë gjyshja për dore dhe kemi shkuar atje ku dëgjuam krismat dhe gjyshja u fut dhe i ra trupit të babait sipër. Ata e kapën dhe me tytën e pushkës i nxorrën njërin sy. Këtë s’kam për ta harruar derisa të vdes”,tha Dushaj.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv