Nga samiti i Brukselit për Ballkanin Perëndimor, kryeministri Rama nuk shprehu aspak habi për mos çeljen e negociatave. Ai e quajti ‘historike në sensin negativ’ këtë ditë pasi BE nuk është i aftë të çlirojë nga vetoja bullgare dy vende që kanë mbetur peng i saj. Pa e humbur shpresën dhe sensin e humorit, kryeministri vazhdoi duke thënë se procesi do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit në “shekullin tjetër”.

Edi Rama:  Më duhet të korrigjoj presidentin tuaj siç bëra dhe me kryeministrin e Kroacisë sepse ai tha të njëjtën gjë, që unë isha i frustruar. I thashë nuk jam, thjesht më vjen keq për Bashkimin Europian dhe sigurisht, në këtë drejtim jam i frustruar për Bashkimin Europian. Nuk është sekret që unë në fakt e kam më përzemër Bashkimin Europian sesa Aleksandri.

Në Shqipëri shqiptarët janë të atashuar në mënyrë religjioze me Bashkimin Europian. Pra të shohësh këtë Bashkim Europian që është i paaftë të çlirojë dy pengje si Shqipëria dhe Maqedonia  e Veriut nga Bullgaria, natyrisht nuk lë një mbresë të mirë dhe në këtë drejtim, ishte një ditë historike, po, historike në sensin negativ, për aq sa ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor. Natyrisht patëm fjalët më të mrekullueshme për ne, përgëzime dhe të gjithë për të qenë shumë të sinqertë dhe për të qenë mjaft të respektueshëm, thanë që po ndiheshin shumë keq që nuk po e realizonin, e thanë, disa e theksuan më shumë, disa të tjerë më pak. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk mbeti pa thënë që ndiheshin keq për Bashkimin Europian, jo për ne, në rregull?

Kështu që nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë nuk ka asnjë dyshim. Mendoj që në Ohër ju thashë që në fillim disa vjet më parë, datat e takimeve të Këshillit Europian ishin më të rëndësishme dhe se dita ime e lindjes sepse ishte gjithmonë Qershor, fundi i Qershorit, ndërsa ditëlindja ime është dita e pavarësisë. Unë e gjeta më në fund pavarësinë time për të mos menduar më se kur takohen këta njerëz. Janë njerëz shumë të mirë dhe ne jemi shumë të lumtur që gjendemi këtu me ta, sigurisht, socializohemi me ta. Në fund të fundit ata kanë një problem të madh, një problem shumë më të madh se sa ne sepse iu duhet të kenë përgjegjësi shumë më të mëdha.

Kështu që jo, thjesht mendoj që do të arrijmë aty, kjo është e sigurt. Me shpresë përpara shekullit tjetër, por shekullin tjetër kjo është e sigurt. Çështja është që të bëjmë punën tonë, të vazhdojmë të kryejmë reformat tona, të vazhdojmë të jemi në pozitën ku të thonë ata që është faji i tyre, jo faji jonë dhe t’i bëjmë vendet tona, flas për Shqipërinë, tashmë, një vend ku njerëzit të ndihen mirë dhe me standarde të Bashkimit Europian. Nuk prisja asgjë tjetër, më besoni, nga ajo që mora këtë. 100%. Asnjë surprizë. Asnjë gjë. Kishte pak shpresë dje, por e paralajmërova se ishte shumë. Në fakt, e kam të shkruar. E paralajmërova, lexoni Twitter-in  tim, por mos e lexoni te propaganda serbe, por lexojeni në gjuhën angleze./tvklan.al