Teksa kemi hyrë në javën e katërt të karantinës dhe një kategori e cila e ka ndjerë më shumë se të tjerët këtë situatë, janë familjet të cilët kanë në përbërjen e tyre një fëmijë të spektrit autik.  

Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime” në TV Klan ishte Egla Bajrami dhe djali i saj Nikolas, 20 vjeç, i cili studion në Liceun Artistik.

Nëna e Nikolasit u shpreh se kjo situatë shkakton një regres total për këta fëmijë sepse kanë humbur terapitë dhe përditshmërinë e tyre. Ata nuk e kuptojnë pse duhet të rrinë brenda dhe mos dalin jashtë ashtu si më përpara.

Mirela Milori: Si ndikon kjo situatë në marrëdhënie me Nikon?

Egla Bajrami: Me thënë të drejtën në marrëdhëninen me Nikon nuk kam patur problematika sepse Niko është ndërgjegjësuar totalisht me këtë problematikë dhe për sa kohë është në shtëpi me mua, me motrën mendoj që e e ndjen veten të sigurt për të qëndruar brenda. Kështu që nuk e kam hasur këtë problem me Nikon. Por ajo që kam hasur në kontaktin që kam pasur me mamat, ka qenë një problematikë shumë e madhe sepse shumë prindër nuk dinin se çfarë të bënin sepse përveçse kanë humbur orët e terapive, e cila është një regres total për këta fëmijë, por kanë humbur edhe përditshmërinë  dhe faktin për të dalë dhe nuk e kuptojnë dot arsyen pse nuk dalin të bëjnë atë shëtitjen, sepse ata aty shpërthejnë dhe nxjerrin gjithë energjinë negative.

Pas kërkesës së posaçme që i kanë bërë autoriteteve përkatëse për të pasur mundësi dalje të këtyre fëmijëve nga shtëpia edhe gjatë karantinës, u arrit të merrej një leje për të nxjerrë këta fëmijë të shoqëruar nga njëri prind edhe pas orës 13:00, ku fluksi i njerëzve është i ulët.

Egla Bajrami: Por falë gjithë bisedave që ne kemi bërë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe pastaj marrëveshja edhe me vetë Policinë e Shtetit, ne kemi marrë një leje që nga data 2 Prill dhe në vazhdimësinë e karantinës kemi marrë një leje për fëmijët me spektër, ku çdo ditë mbasdite mbas fashës së orës 1 kanë të drejtë të dalin nga 1 deri në 2 orë për të nxjerrë energjitë negative. Në mënyrë që ai regresi të eleminohet aq sa është e mundur që të eleminohet, aq sa kemi mundësi në situatën në të cilën po jetojmë. /tvklan.al