‘Oktoberfest’ alarmon Bayern Munich, Neuer e Goretzka pozitiv me covid, humbasin duelet e kombëtares



Pandemia e Covid-19 vijon të jetë një pengesë për botën e futbollit. Ajo që e pëson është kombëtarja e Gjermanisë, e cila nuk do të ketë në dispozicion dy emra tepër të rëndësishëm për duelet e Ligës së Kombeve. Portieri, Manuel Neuer dhe mesfushori me tipare sulmuese, Leon Goretska nuk janë vënë nën urdhërat e trajnerit, Hansi Flik, pasi kanë rezultuar mbartës të virusit. Një ndalesë që shton dhimbjet e kokës për teknikun, pasi do të bëj pa dy futbollistë kyç në dy ndeshjet e radhës ndaj Hungarisë dhe Anglisë.

“Këmbanat e alarmit po bien” tha shoku i tyre në ekipin kombëtar, Jonas Hofmann, duke konfirmuar se frika në radhët e Pancerave është rritur së tepërmi.

Goretzka dhe Neuer ishin në festivalin e birrës Oktoberfest me pjesën tjetër të skuadrës së Bayernit, ku duket se kanë pasur edhe kontakt me virusin. Kjo ka vënë në lëvizje edhe skuadrën e Bayern, që i trembet një shpërthimi të infeksionit, ndërkohë që dyshja janë distancuar menjëherë nga pjesa tjetër e ekipit. Trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, thirri portierin e Hoffenheim, Oliver Baumann, si zëvendësues për Neuerin, megjithëse, favorit për të luajtur si titullarë është Marc-André ter Stegen i Barcelonës. Ndërkaq, për të kompensuar mungesën e Goretzka, tekniku gjerman thirri në mesfushorin e Wolfsburg, Maximilian Arnold.

Klan News